Skip to content
2009

Luljeta Lleshanaku: Luljeta Lleshanaku (poem in Albanian)

Luljeta Lleshanaku

Me fatin e shkruar në fytyrë
Shoku im i bangës në shkollën fillore
kishte gishta blu, buzët blu dhe një vrimë të pariparueshme blu në zemër.
I shënuar ne vdekje. I padukshëm. Ai ruante rrobat i ulur mbi nje gur
jashtë fushës së lojës, nje alkimije pluhuri dhe djerse.
I vulosuri për të qenë mbret
është i ftohtë, i gatshëm për një rënie të lirë
i lindur parakohe nga një mitër e palumtur.
Gruaja flokekuqe që pret përnatë burrin e pirë
do të vazhdojë ta presë kështu edhe njëqind vjet.
Nuk është faji i alkoolit. Ajo ka pritje në fytyrë
Ai është i papërfillshëm aq sa spektatori i rastit
që shiu e futi nga rruga në sallë.
Dhe as nuk është faji i luftës që i merr jetën djaloshit
me sy melankolikë. Ai ishte i prerë për listat e rekrutimit.
Melankolia është arsenali bazë i ushtrisë.
Dhe ai që është i stampuar me mbijetesë
do të vazhdojë të ushqehet me të vegjlit e tij si ariu polar
pa e marrë kurrë vesh se moti është ngrohur.
Te gjithë të mbyllur si teoremat. Qielli i tyre
është një shtëpi e marrë me qera
ku nuk mund të ngulësh as edhe një gozhdë më tepër.
Në pritje të një një urdhëri të dytë, të cilin do ta injorojne gjithsesi
me veshët zënë më dyllë,
si njerëzit e Odiseut gjatë vozitjes në shtegun e nimfave.

(source: Vilenica Almanac 2009)